Naosi dhe Kupola

Me të hyrë në pjesën kryesore të kishës përmes Narteksit, menjëherë bie në sy madhështia dhe pamja solemne e tërë Naosit. Të gjitha kubetë dhe e gjithë sipërfaqja e mureve janë veshur me afreske. Në tërë sipërfaqen e Naosit ndodhen gjithsej gjashtëmbëdhjetë breza të mëdhenj me ikona dhe një numër i madh ikonash shenjtorësh të pikturuar në këmbë.

Në pjesët ballore të kolonave të gjera, majtas e djathtas, shohim Krishtin dhe Hyjlindësen. Krishti, gjë që është jashtëzakonisht e rrallë, është paraqitur me shpatë në dorë, me shpatën që pret mëkatet, ndërsa Hyjlindësja paraqitet edhe këtë herë në qëndrim lutjeje drejtuar Krishtit, pikësëpari për themeluesin e Manastirit të Deçanit, varri i të cilit ndodhet aty pranë dhe së dyti, për çdo besimtar që hyn në këtë kishë.

Sarkofagu i shën Stefanit të Deçanit ndodhet në pjesën perëndimore të nefit jugor, pranë paraklisit të shën Niko¬llës, në të cilin qe vendosur lipsani i tij deri në çastin e shpalljes së tij shenjtor në vitin 1343. Sarkofagu tjetër që ndodhet në të majtë të sarkofagut të Mbretit, është i ngjashëm me të parin, por pak më i vogël. Në të, sipas traditës, prehet lipsani i shën Helenës së Serbisë, motrës së Mbretit të shenjtë, Stefanit të Deçanit, e cila ishte mbretëreshë e Bullgarisë dhe më pas u bë murgeshë.

Pamje nga hyrja në naos