Kisha E Ngjitjes Së Krishtit Në Qiell

Me të hyrë në kishë, vizitori i Deçanit vihet përballë një vepre arti të ndërthurur, e cila përbëhet nga arkitektura, skulpturat, afresket dhe ikonat. Duke ndërthurur përvojat ndërtuese romake, gotike dhe bizantine, mjeshtërit e shkathët nga Kotorri ia dolën të krijonin një vepër origjinale, si në projekt, ashtu edhe në ndërtimin dhe zbukurimin e saj. Kisha e manastirit të Deçanit përmban zbukurimet më luksoze dhe më të pasura të artit mesjetar serb në gdhendje, si dhe numrin më të madh të afreskeve të periudhës së Mesjetës.

Kisha e Ngjitjes së Krishtit

Hapësira e pjesës kryesore të kishës – Naosit – është hapësira më e gjerë dhe më e lartë. Shenjtërorja dhe Narteksi, në krahasim me të, janë më të ulëta. Ndërsa hapësirat e parakliseve janë më të ulëtat dhe qëndrojnë disi veçmas. Në këtë mënyrë, ngritja e përshkallëzuar e pjesëve të ndërtesës dhe lartësimi i çative shkallë-shkallë drejt qendrës së ndërtesës, që kurorëzohen me kupolën e lartë, i jep një lloj harmonie tërë ndërtesës.