Naosi dhe Kupola
Përballë sarkofagut, në sipërfaqen e murit perëndimor të Naosit, është pikturuar skena biblike “Rrënja e Jeseut”, kompozim i cili lidh me njëra-tjetrën Dhiatën e Vjetër dhe Dhiatën e Re. Pikënisja e këtij kompozimi është pjesa e njohur e profecisë së Isaisë, i cili e quan Krishtin “shkop (degë) nga rrënja e Jeseut”. Jeseu ishte ati i profetit David, nga pema gjenealogjike e të cilit erdhi Hyjlindësja e Tërëshenjtë. Skena ikonografike “Rrënja e Jeseut” e manastirit të Deçanit përbën një nga paraqitjet e saj më të plota në tërë artin bizantin. Kjo skenë përfshin shumë persona, paraardhësit në trup të Krishtit, ngjarje nga Dhiata e Vjetër dhe e Re, si edhe profetët që paralajmëruan këto ngjarje.
Në të njëjtën pjesë të Naosit, pak më lart, ndodhen edhe disa skena nga Dhiata e Vjetër, të cilat paralajmërojnë ngjarjet e ardhshme dhe ardhjen e Shpëtimtarit: historia e Urtësisë së Solomonit dhe skena nga libri i profetit Daniel.
Duke shkuar nga paraklisi jugor drejt atij verior përmes pjesës perëndimore të Naosit, vërejmë në kube, tek sipërfaqet e mureve dhe tek kolonat, skena të Ardhjes së Dytë të Krishtit. Radhitja e skenave fillon nga pjesa më e lartë me zbritjen e Krishtit nga qielli, ulur mbi fron, të Cilin e mbajnë dy engjëj. Në vend të Gjykatësit të Drejtë, në manastirin e Deçanit është pikturuar Krishti i Gjithëpushtetshëm i butë në fytyrë, i cili duke mbajtur Ungji¬llin e hapur mbi gjunjë dhe duke lëvizur dorën, u drejtohet të bekuarve që do të trashëgojnë Mbretërinë e Qie¬jve. Përveç engjëjve, në dymbëdhjetë skena të ndara janë pikturuar koret e të drejtëve, ndërmjetuesve të njerëzimit para Krishtit, që me duar të ngritura luten: apostujt, dëshmorët, oshënarët, kryepriftërinjtë, murgjërit, profetët dhe të drejtët e Dhiatës së Vjetër.
Ikonat e Parajsës – Hyjlindësja në fron, kusari i penduar në kryq, të drejtët në krahët e Abrahamit, etj – janë pikturuar tek kolonat përballë murit perëndimor. Poshtë skenave të Parajsës, tek kolonat, paraqitet fati i atyre që mundohen në ferr.
Cikli i afreskeve të dishepujve të Krishtit ndodhet në pjesën veriperëndimore të Naosit dhe shtrihet deri tek paraklisi verior. Ky cikël haset gati shumë rrallë në kishat bizantine dhe perëndimore dhe në shumë aspekte është një ngjarje unike në artin e asaj periudhe. Në njëzet skena, të renditura sipas kronologjisë së ngjarjeve tek Veprat e Apostujve, duke nisur nga kubeja dhe duke zbritur gradualisht tek muret dhe kolonat përreth, rrëfehet historia e mrekullive, veprimtarive misionare dhe martirizimit të apostujve Pjetër, Joan, Filip, Pavël dhe dëshmorit të parë Stefan.
Pjesa qendrore e Naosit, poshtë kupolës, dallohet për bukurinë dhe renditjen gjeometrike të pllakave të mermerta të dyshemesë. Atje, në një vend në formë katrore, ndodhet amvoni i punuar me oniks të lëmuar dhe brecia. Motivet e radhitura në mënyrë diagonale janë gërryer dhe mbushur me plumb, mbi të cilët kanë qenë vendosur pllaka të vogla ari.
Në kupolë, poshtë Krishtit të Gjithëpushtetshëm, rreth të cilit është pikturuar Liturgjia Qiellore, janë renditur figurat monumentale të profetëve, me fizionomi jashtëzakonisht karakteristike dhe dinamike.
Në brezat poshtë kupolës gjenden kompozimet madhështore të të kremteve Zotërore dhe Hyjlindësore, të cilat ruhen gati në gjendje të përsosur. Të kremtet e mëdha janë pikturuar, sipas radhës kronologjike të ngjarjeve, tek muret poshtë kupolës dhe tek sipërfaqet harkore poshtë tyre.
Cikli i Pësimeve të Krishtit paraqitet me hollësi tek pjesët e sipërme të Naosit. Fillon në harkun e pjesës perëndimore me Darkën Mistike, shtrihet nëpër kolonat që mbajnë kupolën dhe përfundon në kubenë sipër Tryezës së shenjtë.
Tek Naosi, majtas dhe djathtas kupolës, ndodhen psaltirët, të cilët ndahen nga parakliset dhe pjesa më perëndimore e Naosit, me anë të një muri të ulët. Në psaltirin e djathtë ndodhet një fron mermeri i punuar mirë, i ngjashëm me fronet e mbretërve të Evropës perëndimore, me shpinë të ngritur dhe me pjesët anësore pak të lakuara, të cilat përfundojnë tek parmakët e zbukuruar me rozetë.
Pikturimi i Kishës si shoqëri e Perëndisë dhe e njerëzve, e të gjithë Shenjtorëve – nga ata më të vjetrit e deri tek të porsashpallurit – dhe e të gjall¬ëve, shprehet më së miri dhe më me qartësi tek brezi i poshtëm i kishës së Deçanit. Gati në të njëjtën lartësi dhe madhësi me njerëzit që ndodhen në kishë, të kthyer nga besimtarët, këta shenjtorë u pikturuan me kujdes të madh dhe duke përdorur shumë ar. Pjesa më e madhe e këtyre shenjtorëve janë shenjtorë ushtarakë, por ka edhe eremitë, mjekë anargjendë, shenjtorë serbë, etj. Shumë nga ata paraqiten duke bekuar ose duke dhënë një mesazh nëpërmjet pergamenave që mbajnë në duar.











