Parahyrja
Kapitelet dhe bazamentet e kolonave të papikturuara të Narteksit dhe Naosit janë zbukuruar me motive të shumëllojshme bimësh dhe kafshësh. Në katër faqet e kapitelit të kolonës veriperëndimore të Narteksit, paraqiten të gdhendur katër apostujt ungjillorë në mes të katër shpendëve të mëdhenj.
Narteksi ka një program jashtëzakonisht të pasur ikonografik. Përveç ikonave të shenjtorëve dhe person- aliteteve të rëndësishme të popullit serb, në Narteks është pikturuar tërë viti liturgjik, shtatë Sinodet Ekumenike dhe jeta e shën Gjergjit.
Kujtimi i gjithë shenjtorëve dhe ngjarjeve më të rëndësishme të historisë së krishterimit, që bëjnë pjesë në ciklin kremtues vjetor, janë pikturuar ditë pas dite tek Narteksi i kishës së Deçanit. Fillimi i vitit ose kalendarit kishtar (1 shtator) nis në murin lindor të Narteksit,
poshtë Sinodeve Ekumenike, që janë pikturuar në kupolë. Skenat mbresëlënëse nga jetëshkrimi i shenjtorëve, të mbushura me elemente dramatike dhe plot dinamizëm, janë vendosur me radhë, në formë brezash rrethore, tek muret e Narteksit, duke filluar nga lart e duke zbritur deri poshtë.
Paraklisi në pjesën veriore të Narteksit i është kushtuar shën Gjergjit. Këtu ikonografi është përpjekur të pikturojë në sipërfaqen e murit lindor të paraklisit, domethënë në sipërfaqen më të dukshme të tij, ngjarjet më të rëndësishme nga jeta e këtij Dëshmori të madh e shumë të dëgjuar. Aty është pikturuar: tortura e rrotës, fitorja ndaj dragoit, dënimi dhe vdekja e
shën Gjergjit.
Shumëllojshmëria e ornamenteve zbukuruese në hyrjen që të çon nga Narteksi tek Naosi, e shton edhe më shumë madhështinë e brendshme të kishës. Kapitelet, harqet e brendshme dhe të jashtme të derës kryesore, janë pajisur me elemente zbukuruese. Në tamburin e kësaj porte nuk ka elemente zbukuruese në gdhendje, por në të është pikturuar ikona e Krishtit Emanuel. Tek bazamenti i portës dhe tek pjesa e sipërme janë punuar dy çifte kafshësh në skulpturë, të cilët ruajnë kufirin ndërmjet të shenjtës dhe profanes.
Në murin sipër portës janë pikturuar themeluesit e manastirit, shën Stefani i Deçanit dhe mbreti Dushan, në pozicion lutjeje drejtuar Krishtit të Gjithëpushtetshëm, nga i Cili, përmes Kerubimit, marrin dorëshkrimin në pergamenë – si bekim nga Perëndia.








