Parahyrja

Me t’u futur përmes njërës nga tri hyrjet, në një hapësirë të gjerë dhe të lartë, vizitori gjendet tek Narteksi i kishës së Deçanit. Narteksi përbëhet nga tre nefe, të cilët ndahen nga njëri-tjetri me kolona mermeri mbi gjashtë metra të larta. Me të hyrë në këtë hapësirë, mbetet pa fjalë nga numri i madh dhe shumëllojshmëria e afreskeve. Sipërfaqet e pikturuara të kishës së Deçanit janë aq të mëdha, saqë njeriu nuk arrin t’i shohë dot të gjitha me shikim të lirë. Tërë ato skena ikonografike që u krijuan gradualisht dhe u përsosën në kishat bizantine serbe me kalimin e shekujve, u shfaqën njëherazi në kishën e Deçanit. Asnjë kishë tjetër serbe ose bizantine nuk përmban kaq shumë afreske dhe askund nuk është pikturuar me kaq hollësi sa këtu e tërë historia e shpëtimit. Përvoja e artit të periudhës së vonshme bizantine u shpalos në këtë kishë duke bërë të mundur krijimin e më shumë se njëmijë skenave ikono- grafike dhe disa mijëra ikona më vete, të renditura sipas programit ikonografik në më shumë se njëzet breza. Në pikturimin e kishës, për rreth dhjetë vjet (1338 – 1348), punuan shumë ikonografë njëkohësisht ose veç e veç. Kjo gjë vërehet në shumëllojshmërinë e afreskeve, si në stil, ashtu edhe në cilësitë artistike. Por nuk ka kurrfarë dyshimi se në fillim të punës së pikturimit të kishës së Deçanit, ishte përgatitur një program ikonografik i hollësishëm, si për Naosin, ashtu edhe për pjesët e tjera të ndërtesës, pa shumë ndryshime në vazhdim. Vetëm kështu mund të shpjegohet harmonia dhe uniteti i programit ikonografik.

Kancelari i Deçanit

Ikonografët, emrat e të cilëve nuk dihen, kanë qenë mjeshtër të shkëlqyer të artit të tyre. Afresket e tyre janë të lidhura mirë me suvanë, ngjyrat e tyre janë të qëndrueshme dhe ruajnë cilësinë dhe freskinë e tyre, edhe pse kanë kaluar shumë shekuj. Përdorimi i materialeve të shtrenjta ikonografike, ka ndikuar në arritjen e një rezultati të lartë estetik. Në shumë afreske ende vërehen gjurmë floriri tek aureolat dhe veshjet, ndërsa materiali për ngjyrën e kaltër ishte shumë i shtrenjtë.