Kisha E Ngjitjes Së Krishtit Në Qiell

Me të hyrë në kishë, vizitori i Deçanit vihet përballë një vepre arti të ndërthurur, e cila përbëhet nga arkitektura, skulpturat, afresket dhe ikonat. Duke ndërthurur përvojat ndërtuese romake, gotike dhe bizantine, mjeshtërit e shkathët nga Kotorri ia dolën të krijonin një vepër origjinale, si në projekt, ashtu edhe në ndërtimin dhe zbukurimin e saj. Kisha e manastirit të Deçanit përmban zbukurimet më luksoze dhe më të pasura të artit mesjetar serb në gdhendje, si dhe numrin më të madh të afreskeve të periudhës së Mesjetës.

Kisha e Deçanit, për shkak të forcës dhe lartësisë së ndërtesës, si dhe bukurisë së fasadës, çdo vëzhguesi, pa përjashtim, i ngjall admirim. Për këtë arsye, ky Manastir u quajt “Visoki” (i lartë), sikurse njihet nga të gjithë. Së pari, ndërthurja e brendshme dhe e veçantë arkitektonike e kishës të lë pa fjalë. Ajo është ndërtuar në formë bazilike me pesë nefe dhe me kupolë. Nefet anësore janë më të shkurtër dhe nga ana lindore, të gjitha nefet mbyllen me absida në madhësi të ndryshme. Materialet e shtrenjta ndërtimore – guri dyngjyrësh i smeriluar deri në shkëlqim – që përdorën mjeshtërisht në ndërtimin e kishës, luajnë rol kryesor në pamjen madhështore të kishës. Fasada elegante shumëngjyrëshe është realizuar përmes ndërthurjes së dy llojeve të ndryshëm mermerësh: të oniksit të verdhë e të ndritshëm të Pejës dhe mermerit të kuqërremtë në vjollcë të Deçanit.

Kisha e Deçanit ka lartësi mbi 36 metra, gjerësi 24 metra, ndërsa lartësia e kupolës së saj arrin edhe deri në 29 metra. Nga këndvështrimi liturgjik, kisha ndahet në tri pjesë: Shenjtërorja, Naosi dhe Narteksi (Parakisha). Naosi përfshin tre nefet e kishës. Parakliset ndahen nga Naosi me pllaka të larta gurësh. Paraklis në anën jugore i është kushtuar shën Nikollës, ndërsa ai në anën veriore, shën Dhimitrit.

Kompleksiteti i arkitekturës
Çatitë e tempullit të Deçanit

Hapësira e pjesës kryesore të kishës – Naosit – është hapësira më e gjerë dhe më e lartë. Shenjtërorja dhe Narteksi, në krahasim me të, janë më të ulëta. Ndërsa hapësirat e parakliseve janë më të ulëtat dhe qëndrojnë disi veçmas. Në këtë mënyrë, ngritja e përshkallëzuar e pjesëve të ndërtesës dhe lartësimi i çative shkallë-shkallë drejt qendrës së ndërtesës, që kurorëzohen me kupolën e lartë, i jep një lloj harmonie tërë ndërtesës.

Zbukurimi i kishës së Deçanit me skulptura është shumtë i pasur dhe i shumëllojshëm. Përveç basorelieveve të shumtë, ajo është e mbushur edhe me relieve dhe skulptura të mirëfillta.
Të tëra kornizat në formë harqesh poshtë çative janë zbukuruar me skulptura, të cilat janë punuar me shumë fantazi dhe hollësi, në të cilat ndeshen një sërë figurash të pazakonta njerëzish, kafshësh, figura mitologjike dhe forma të ndryshme bimësh. Kornizat zbukuruese në gdhendje të çatisë përshkojnë tërë fasadën e kishës. Çatia mbi nefet e mesit është dy herë më e pjerrët se çatia mbi dy nefet anësore. E tërë çatia është e mbuluar me pllaka plumbi.

Formës së dyerve dhe dritareve të sipërfaqeve të gjera të fasadave i është dhënë shumë rëndësi. Ato janë pajisur me elemente zbukurues skulpturore. Brenda një morie relievesh zbukurues të kishës së Deçanit, dy dritaret treshe zënë një vend të veçantë. Njëra ndodhet në fasadën perëndimore, ndërsa tjetra tek absida e Shenjtërores. Parmaku i të dyja dritareve, korniza e brendshme dhe tamburi i tyre, janë stolisur me ornamente skulpturore. Gjithashtu figura të plota skulpture vërehen edhe mbi kapitelet e kornizës së jashtme.

Në tamburin e dritares së Shenjtërores është gdhendur një hardhi me gjethe të dendura, në të majtë të së cilës gjendet një lugat dhe në të djathtë të saj, një kuçedër që përpin një njeri, ndërsa në tamburin e dritares perëndimore është paraqitur ikona e shën Gjergjit që vret dragoin. Gurët zbukurues, si në pjesën e brendshme, ashtu edhe në pjesën e jashtme të ndërtesës luksoze të Deçanit, nuk kanë vetëm funksion arkitektonik apo zbukurues, por ata njëkohësisht shprehin në mënyrë simbolike qëllimin e themeluesit të manastirit: Shpalljen e lavdisë së Zotit.

Pothuajse të gjithë tamburet dhe kapitelet e njëzet dritareve dyshe janë stolisur me figura dhe motive floreale.

Dyert e kishës janë shumë më të pasura me elemente zbukuruese. Në tamburin e derës jugore është gdhendur Pagëzimi i Krishtit. Mbrapa Krishtit dhe shën Joan Pagëzorit, është gdhendur, në secilën anë nga një gjethe me fletë të rrumbullakëta, të buta, ndërsa në bazamentin e tamburit është gdhendur lumi i valëzuar i Jordanit.

Pamje e tempullit nga juglindja

Në ditët e sotme, si derë kryesore për të hyrë në kishë, përdoret dera veriore. Korniza e kësaj dere dhe harqet e sipërme të saj janë të pasura me zbukurime në gdhendje, ndërsa tek tamburi nuk ka ndonjë paraqitje figurative, por në të është gdhendur një kryq i lulëzuar.

Mbi derën kryesore të kishës paraqitet një skenë madhështore, në të cilën ikonizohet Krishti mbi fron në mes të dy engjëjve, ndërsa tek bazamenti i fronit paraqiten figurat e dy luanëve. Në të dy anët e tamburit, janë vendosur dy skulptura, një luan dhe një grife.

Portali verior
Trifora perëndimore